Terapia kognitive e sjelljes (CBT) eksploron lidhjet midis mendimeve, emocioneve dhe sjelljes. Është një qasje direktive, e kufizuar në kohë dhe e strukturuar. Kjo formë e trajtimit psikologjik është treguar efektive për tejkalimin e një sërë problematikave dhe më efektive në krahasim me terapitë tjera psikologjike dhe medikamenteve psikiatrike. Studime të shumta kërkimore sugjerojnë se CBT çon në përmirësim të ndjeshëm të funksionimit dhe cilësisë së jetës. Qasja CBT është përpiluar duke u bazuar në të dy sferat: si praktikën klinike ashtu edhe në atë hulumtuese. Prandaj, është një nga terapitë e favorizuara por edhe një qasje prej së cilës janë nxjerrë prova të shumta shkencore se metodat të cilat shfrytëzon kjo qasje mundësojnë ndryshimin (APA, n.d.)
Principet bazë të terapisë kognitive të sjelljes
Baza e modelit kognitiv është mënyra në të cilën njohja (mënyra se si mendojmë për gjërat dhe përmbajtja e këtyre mendimeve) konceptohet.
Beck (1976) që njëherit është edhe zhvilluesi i kësaj teorie, përshkroi tre nivele të njohjes:
1. Besimet thelbësore
2. Supozime jofunksionale
3. Mendimet automatike negative
Beck (1976) për besimet thelbësore ose skemat, thotë që janë besime të forta për veten, të tjerët dhe botën. Besimet thelbësore përgjithësisht mësohen herët në jetë dhe ndikohen nga përvojat e fëmijërisë dhe shihen si absolute. Triada njohëse e besimeve thelbësore negative, siç përshkruhet në vijim:
1.Vetja, p.sh. “Unë jam i padobishëm”
2. Bota/të tjerët, p.sh. “Bota është e padrejtë”
3. E ardhmja, p.sh. “Gjërat nuk do të funksionojnë kurrë për mua”
Supozimet jofunksionale janë “rregulla rigide dhe të kushtëzuara të jetesës” që njerëzit i integrojnë. Këto mund të jenë joreale dhe për këtë arsye jopërshtatëse. Për shembull, dikush mund të jetojë sipas rregullit se “Është më mirë të mos provosh sesa të rrezikosh të dështosh”.
Mendimet automatike negative janë mendime që aktivizohen në mënyrë të pavullnetshme në situata të caktuara. P.sh në situata të negativitetit mund të lidhet me vetëvlerësimit të ulët dhe padobishmërisë. Për shembull, kur përballeni me një detyrë, një mendim automatik negativ mund të jetë “Unë do të dështoj” ose të tjera si “Unë jam budalla” ose “Ata do të tallen me mua” kur do të bëni një prezantim, shfaqet ankthi dhe frika. Mendimet negative mund të jenë dërrmuese dhe dominojnë mënyrën se si mendoni dhe veproni (Fenn & Byrne, 2013).
American Psychological Association. (n.d.) What is Cognitive Behavioral Therapy?. Clinical Practice Ptsdguideline. Retrieved 02.12.2023, from https://www.apa.org/ptsd-guideline/patients-and-families/cognitive-behavioral.pdf
Beck, R., & Perkins, T. S. (2001). Cognitive content-specificity for anxiety and depression: A meta-analysis. Cognitive Therapy and Research, 25, 651-663
Fenn K, Byrne M. The key principles of cognitive behavioural therapy. InnovAiT. 2013;6(9):579-585. doi:10.1177/1755738012471029